• May 30, 2023

Thellohet skandali, si u zhvat Luiz Ejlli nga IUTE Credit ! Dalin detajet e reja tronditëse

Thellohet skandali, si u zhvat Luiz Ejlli nga IUTE Credit ! Dalin detajet e reja tronditëse

Historia e Luiz Ejllit është historia e mijëra të rinjve dhe të rejave të thjeshtë të këtij vendi, të cilët jetuan në demokracinë që flet shqip. Me ndryshimin e vetëm dhe të rrallë, që historia e Luizit, pati një “happy-end”. Luiz Ejlli është sot shqiptari më i njohur dhe i komentuar nga të gjithë, brenda dhe jashtë kufijve, përfshirë diasporën dhe Kosovën.

Thellohet skandali, si u zhvat Luiz Ejlli nga IUTE Credit ! Dalin detajet e reja tronditëse
Thellohet skandali, si u zhvat Luiz Ejlli nga IUTE Credit ! Dalin detajet e reja tronditëse

I admiruar nga një shumicë milionëshe që, për pasion me siguri do kalonte edhe përkrahësit më të zjarrtë të të gjitha partive politike të marra së bashku, Ejlli as nuk e imagjinon dot (deri të dielën) se çfarë ndikimi dhe force ka historia e jetës së tij tek miliona të rinj dhe të reja, njerëzit e thjeshtë, populli i zakonshëm.

Jetën prej 37 vitesh ai e tregoi në ngashërim dhe përlotur të shtunën mbrëma, si për të vulosur në zemrën e të gjithëve, thirrjen: Ma ndryshoni fatin o njerëz!

Luiz Ejlli, vjen nga një familje e thjeshtë shkodrane, lindur në një qytet me shumë art, histori dhe vuajtje. Si pinjoll i mijëra familjeve të zakonshme shqiptare, ai u rrit përvuajtur në demokracinë e ’91, ’97 dhe gjithë viteve që solli shekulli 21. U përpoq të ndërtojë një jetë brenda artit, këngës, muzikës. Ia doli disi me fitimin e një konkurrimi – Festivalit të 44-ët në RTSH dhe pjesëmarrjen në një tjetër, Eurovision 2006.

 

Por arti në Shqipëri nuk të jep “bukë”, veç çmimeve. Bëri kompromis me dashurinë të përzier me pushtet, kur u bë “dhëndri i Jozefinës”, politikanes së ashpër të Partisë Demokratike, e cila mbahet mend për shprehjen, por dhe sjelljen “Kapeni për zhelesh dhe nxirreni jashtë”.

Luizi në rrëfimin e tij tregoi se ndarja me të bijën e Jozefinës, përfundoi në një vetmi dhe disfatë të madhe, në një sedilje makine, me 37 mijë lek në xhep, pa shtëpi dhe më pas, pa punë, praktikisht i përzënë prej zhelesh jashtë, nga një jetë 10 vjeçare.

Fatin e sa të rinjve shqiptarë 20, 30 apo 40 vjeçarë ka shënjuar historia e Luiz Ejllit? Të talentuar, të zhgënjyer nga dashuria dhe jeta, të papunë, të nëpërkëmbur dhe të zhvlerësuar nga shoqëria dhe “demokracia”?

Luizi i tregoi rinisë dhe shoqërisë se ishte mbytur në borxhe, ndaj e do dëshpërimisht çmimin, për një fillim të ri, jetë të re. Për të krijuar një familje, një strehë të tijën, pa lakun e borxhit dhe pa kompromisin e titullit të vjetër “kollovar”. Natyrisht që rinia po ‘tërbohet’ duke e nxjerrë fitues me mesazhe dhe përkrahje të shfrenuar. Politika e të dyja krahëve po druhet të rreshtohet e ta gllabërojë. Po ruan me frikë deri të dielën…se fenomeni “Luiz” mund të jetë një goditje fatale për ta. Ai mund të akuzojë!

Sot, do akuzojmë në emër të tij. I kapur nga dara e “Iute Credit”, Luiz Ejlli është një nga mijëra viktimat e aktivitetit të mikrokredive në Shqipëri. Një borxh 2 milion lekë të vjetra për shkak të një mikrokredie, Luizit i është bllokuar llogaria bankare nga 7 Prilli, duke e lënë pa asnjë lek deri në 24 Dhjetor 2022, kur Big Brother-i i hapi një “llogari” me çek të bardhë…

Burime nga banka Raiffeisen, tregojnë për DITA se llogaritë e sekuestruara si e Luiz Ejllit janë me mijëra, mbushur me emra të rinjsh e të rejash nga të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ata bllokohen për shkak të borxheve të kredive konsumatore që merren lehtë edhe online, vetëm me një kartë identiteti, sidomos tek ‘Iute’.

Mikrokreditë e ‘Iute’-s variojnë në vlera nga 200 mijë – 1 milion lekë të vjetra, me afat 1 deri në 36 muaj, që “Luizët” i marrin zakonisht për nevoja emergjente, halle që s`presin por edhe blerje në qendra biznesi, dyqane elektroshtëpiakesh ose telefonash. Vetëm për vitin 2022, janë më shumë se 15 000 llogari individësh të sekuestruara vetëm për interes të ‘Iutes’-s, pohon burimi i bankës. Këto mikrokredi aplikohen në dyqane, ose nëpër kioskat e shumta që janë hapur kudo në Shqipëri.

Rastin e tij Luiz Ejlli do ta tregojë vetë me detaje, kur të dalë. Ai do i tregojë popullit të tij se sa para mori tek ‘lute’, çfarë halli kishte, sa pagoi dhe nëse e dinte se do paguante shumëfish në fund.

Nëse e dinte se ndaj tij është zhvilluar një gjyq në Tiranë, në 25 Mars 2021, kur Gjykata nxori një urdhër ekzekutimi që ai të paguante, sa lekë? Nëse e dinte se “Iute” e shiti kredinë e tij tek një tjetër mikrofinancë me emrin “Final”. Nëse e dinte se “Final” caktoi një kompani tjetër “ADCA” që të mblidhte borxhin ndaj tij dhe, nëse e dinte se një përmbarues ia kishte bllokuar llogaritë për borxhin serial, 208 mijë lek të vjetra!

Luizi i tregoi shqiptarëve që, për shkak të bujarisë së shkodranit Benet Beci, ishte punësuar tek KESH-i por nuk u tregoi nëse i merrte paratë e rrogës nga 7 prilli 2022, dita kur dara e “Iutes” me mashtruesit e tjerë, e kapi prej gryke dhe e mbajti fort, deri ditën kur u fut në Big Brother AlbaniaVip-2.

Me dhjetëra të rinj si Luiz Ejlli janë gënjyer, janë mashtruar, janë dhunuar nga mashtrimi i madh me mikrokreditë, janë infektuar rëndë nga ky virus. Virus më i madh se ai i Pandemisë, që konkurron për vuajtje e pasoja, mashtrimin e tmerrshëm të firmave piramidale në vitet 1994-1997.

Në tre vitet e fundit, dhjetëra kioskat dhe aplikimet online të mikrokredive “Iute” janë mbushur plot me të rinj shqiptarë, familjarë të varfër të qyteteve dhe fshatrave, të pamundurit, të dëshpëruarit e zhytur në borxhe të mëparshme, për të blerë kush një lavatriçe, kush një ‘telefon’, dikush aplikon për ilaçe ose dhurata.

Shumë prej tyre, për të likujduar muajin e mëparshëm në borxh ushqimor. Të gjithë bashkë të futur në çarkun e madh të fajde-mikrokredive, çark i krijuar dhe lejuar të funksionojë si pjesë e sistemit financiar shqiptar, nën hundën e autoriteteve tona. Me lejen e tyre?!

Çdo ditë reklamat e bukura me shkëlqim shumë inkurajojnë marrje mikrokredish. Ato ftojnë nëpër media për t’u futur në kurthin e ëmbël, në borxhin fajde, që më pas prodhon histori të dhimbshme, të trishta, shpesh tragjike, sidomos për të rinjtë që jo të gjithë do jenë “fitues” të një Big Brotheri, si Luiz Ejlli.

“Iutecredit Albania” dhe kioskat simotra u japin para për “7 minuta”, vetëm me një kartë identiteti nevojtarëve, sidomos të rinjve e të rejave të pa mësuar ende me “hilet” e jetës, pa u dhënë atyre asnjë informacion të kuptueshëm për koston e këtyre kredive, për riskun, interesat e vërteta e ato të fshehura, duke i mashtruar pikërisht në injorancën që ka secili prej nesh, rreth njohurive financiare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *