
Pas rrëmbimit të 3 policëve,ministri Sveçla shkon në kufirin me Serbinë
user
- 0
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka shkuar në Jarinjë, në pikën kufitare me Serbinë, 3 orë pasi u rrëmbyen aty pranë 3 efektivë të policisë së Kosovës. Më herët ai ka reaguar duke u shprehur se diçka e tillë bie ndesh me çdo marrëveshje dhe çdo parimi të normave ndërkombëtare.
Sveçla shtoi se Serbia po vazhdon të tregojë fytyrën e vërtetë, ndërsa garantoi që të tilla akte kriminale, as i trembin, as do t’i detyrojnë të tërhiqen. “Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.
Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.
Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor.
Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj.
Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”,-ka deklaruar më herët ai.