• June 17, 2023

32 vjeçarja nga Lazarati kampione e bodybuilding. Është nënë e dy fëmijëve.

Oriela Trako, një sportiste shqiptare, ka filluar sportin e bodybuilding-ut rastësisht, por tani ka arritur në shkallën më të lartë të suksesit. Ajo u shpall kampione absolute në kampionatin kombëtar të datës 7 maj në disiplinën “natyral”.

 

 

 

Edhe pse 32-vjeçarja nga fshati Lazarat i Gjirokastrës u përball me paragjykime në fillimet e saj, përkushtimi dhe rezultatet që ka arritur e kanë tejkaluar këtë moment. Një ndihmë e madhe për Orielën ishte trajneri i saj, Nikollaq Muço, një ish-kampion i bodybuilding-ut, i cili kontribuoi në suksesin e saj.

“Nisi si diçka e zakonshme për të frekuentuar palestrën në mënyrë të zakonshme. Jo në mënyrë të rregullt. Pasi pashë që kisha ndryshime jo vetëm në fizik, por edhe në anën time psikologjike vendosa ta shpeshtoj frekuentimin e palestrës,”-u shpreh Oriela Trako, sportiste e bodybilding.

“E pashë që kishte një vullnet të jashtëzakonshëm dhe mundësinë që të bëhej kampione. Ia shpreha këtë dëshirë dhe më tha se po mund ta bëjmë. Është një nder edhe për Gjirokastrën,”-tha Nikollaq Muço, trajner bodybuilding.

Pavarësisht se Oriela është nënë e dy fëmijëve, për shumë të tjerë kjo mund të konsiderohej si një pengesë e vështirë për të kapërcyer. Megjithatë, për Orielën, kjo nuk është një pengesë që nuk mund të përballohet

“Unë kam një mbështetje shumë të madhe nga familja, të nxitur ata edhe nga dëshira ime për t’ia arritur këtij objektivi,”-u shpreh Oriela Trako, sportiste e bodybilding.

Pas arritjeve të jashtëzakonshme të Orielës, sukseset e saj janë shtrirë edhe në arenën ndërkombëtare. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo arriti të fitojë vendin e tretë në Kampionatin Botëror të bodybuilding-ut, i zhvilluar në SHBA.

Megjithatë, është ironik fakti se Orielës iu desh të paguante shpenzimet personale për të udhëtuar në Las Vegas dhe për të marrë pjesë në kampionat, pasi nuk mori ndihmë nga institucionet.

“Vërtet që kemi vështirësi ekonomike, sepse është një sport i shtrenjtë, por edhe vështirësi për kushtet ku edhe stërvitemi. Kemi vështirësi sepse një performancë e mirë nuk kërkon thjeshtë fizikun tim,”-deklaroi Oriela Trako, sportiste e bodybilding.

“Kishim një pesimizëm sepse ndihma në qytet dhe nga shteti qe shumë e vakët. Them shumë e vakët sepse as falenderime nuk morëm,”-tha Nikollaq Muço, trajner bodybuilding.

Oriela, edhe pse nuk ka pasur mbështetje të mjaftueshme, është e vendosur të vazhdojë të përfaqësojë Shqipërinë në gara ndërkombëtare me çdo kusht. Dëshira dhe vendosmëria e saj për të arritur suksesin në fushën e bodybuilding-ut janë thelbësore dhe e nxisin të shkojë përpara, edhe në mungesë të mbështetjes institucionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *